Tradita mund të prishet, Kupa FA nën “diktatin” e Premier Ligës

Gara më e vjetër e futbollit në botë, Kupa e Anglisë, mund të humbë diçka nga tradita e saj 150-vjeçare. Drejtuesit e futbollit anglez po mendojnë të heqin rregullin e përsëritjes së ndeshjeve duke nisur nga raundi i tretë, pasi duan të kursejnë kohë në një kalendar gjithnjë e më të ngjeshur. Tradita e ka dashur dhe e do që ndeshjet e Kupës të mos kenë penallti, ndërsa luhen me një takim të vetëm. Në rast barazimi, luhet një tjetër përballje për të përcaktuar fituesin dhe këtu lejohen edhe 11-metërshat.

Federata Angleze po mendon të ndryshojë kalendarin e Premier Ligës, për ta zgjeruar atë dhe për të përfituar më shumë nga koha televizive, pasi pikërisht prej saj vijnë të ardhurat më të mëdha të klubeve.

Edhe kombëtarja e Anglisë mund të ketë “fajin” e saj në cënimin e traditës së Kupës. Kjo pasi Federata synon të krijojë një pushim dimëror, siç e kanë vendet e tjera, në mënyrë që ekipi përfaqësues të ketë mundësi të shkojë më i freskët fizikisht dhe mendërisht në finalet e europianëve dhe të kupave të botës , gjë që deri tani nuk ka ndodhur dhe ka pasur pasoja.

Gjithsesi, tifozët do të ndihen keq, ashtu siç ndodhi në 1989 kur Lordi Tejlër i asaj kohe vendosi që stadiumet të jenë krejtësisht me vende të ulura, dhe jo me tarraca prapa portave siç kishin qenë për 140 vjet.

Sfidanti.al