Gjermania, Brajan Gruda dëmtohet para grumbullimit

Brajan Gruda u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen ndaj Bayer Leverkusenit për shkak të problemeve fizike. Sulmuesi i Leipzig u zëvendësua në minutën e 25-të, ndërsa në vendin e tij u aktivizua Tidiam Gomis. “Zëvendësimi i parë për ne, fatkeqësisht për shkak të dëmtimit: Brajan Gruda duhet të largohet për shkak të problemeve, ndërsa Tidiam Gomis hyn në fushë në vendin e tij”, njoftoi klubi gjatë ndeshjes. Dëmtimi vjen në një moment të rëndësishëm për 21-vjeçarin, i cili vetëm pak ditë më parë mori ftesën e parë nga Kombëtarja e Gjermanisë. Gruda ka zgjedhur të përfaqësojë Gjermaninë, pavarësisht se kishte edhe mundësinë për të luajtur për Kombëtaren shqiptare. Tashmë, dëmtimi i pësuar ndaj Leverkusenit ka ngritur pikëpyetje mbi pjesëmarrjen e tij në grumbullimin e radhës të përfaqësueses gjermane. Deri tani nuk ka një informacion të detajuar mbi shkallën e dëmtimit dhe as nëse Gruda do të jetë në gjendje t’i bashkohet grumbullimit të Gjermanisë.