Florentino Perez “shpërtheu” në tribunën e Metropolitano-s

Florentino Perez është përfshirë në një episod të tensionuar në tribunën presidenciale të stadiumit “Metropolitano”, gjatë derbit të Madridit mes Atlético Madridit dhe Real Madridit, të fituar 2-1 nga skuadra vendase. Sipas raportimeve të gazetarëve Paco González dhe Juanma Castaño në “Cadena COPE”, presidenti i Real Madridit reagoi ashpër kur mësoi se Enrique Riquelme ndodhej në tribunën presidenciale. Riquelme ishte një nga kandidatët për presidencën e Real Madridit në zgjedhjet e fundit, në të cilat u mposht nga Perez.

González raportoi se Perez ishte zemëruar shumë për praninë e Riquelmes në tribunën VIP të “Metropolitano”-s. Më shumë detaje dha Castaño, sipas të cilit gjithçka nisi gjatë drekës mes drejtuesve të dy klubeve, përpara derbit. Perez kishte shkuar në stadium edhe për shkak të marrëdhënies së mirë me presidentin e Atlético Madridit, Enrique Cerezo.

Kur mësoi se Riquelme ishte i ftuar në tribunën presidenciale, Perez thuhet se “shpërtheu në zemërim” dhe kërcënoi se do të largohej nga stadiumi. “Florentino shpërtheu në zemërim dhe tha se me praninë e tij largohet, ikën nga stadiumi. Nëse do të përballej me të në ndonjë moment, do të largohej nga tribuna”, tregoi Castaño.

Megjithatë, presidenti i Real Madridit u qetësua dhe vendosi të qëndronte për të ndjekur ndeshjen. Pavarësisht kësaj, sipas raportimit, Perez kërkoi shpjegime për praninë e Riquelmes në tribunën presidenciale gjatë derbit.