Fisnik Asllani rikthehet pas dëmtimit në fitoren e Hoffenheimit

Fisnik Asllani më në fund ka lënë pas lëndimin dhe është rikthyer në fushë në fitoren e Hoffenheimit ndaj Stuttgartit. Sulmuesi i Kosovës kishte qëndruar për disa muaj jashtë fushave për shkak të lëndimit, i cili ndikoi edhe në dështimin e transferimit të tij te gjiganti gjerman, RB Leipzig.

Për shkak të problemit fizik, Asllani mungoi edhe në ndeshjet e para të sezonit me Hoffenheimin. Megjithatë, rikthimi i tij në derbin ndaj Stuttgartit është një lajm i mirë për klubin dhe veçanërisht për Përfaqësuesen e Kosovës.

Asllani u aktivizua në minutën e 82-të, duke regjistruar minutat e para pas një periudhe të gjatë jashtë fushës. Rikthimi i sulmuesit vjen në një moment të rëndësishëm, pasi ndeshjet e Kosovës po afrohen. Ende nuk dihet nëse qendërsulmuesi do të përfshihet në listën e Përfaqësueses nga përzgjedhësi Franco Foda.

Megjithatë, nëse Asllani vazhdon të fitojë minuta me Hoffenheimin, gjasat për një ftesë mund të rriten. Tashmë mbetet të shihet nëse ai do të luajë edhe në ndeshjen e ardhshme të Hoffenheimit. Lista e Kosovës pritet të publikohet të premten e ardhshme, ndërsa Asllani synon të jetë pjesë e saj.