Gjyqi për grabitjen e dhunshme në banesën e Gianluigi Donnarummas dhe partneres së tij, Alessia Elefante, ka nisur zyrtarisht në Paris, duke zbardhur detaje rrëqethëse nga ngjarja e vitit 2023. Sipas dokumenteve të gjykatës, portieri italian, aktualisht pjesë e Manchester Cityt, u zgjua në mes të natës nga një prej grabitësve, i cili i kërkoi të qëndronte i heshtur përpara se ta godiste në fytyrë me një dorezë metalike dhe ta kërcënonte me thikë, duke i kërkuar orët e shtrenjta. Në gjendje shoku, Donnarumma i dorëzoi një orë të markës Audemars Piguet.
Edhe më traumatike ishte përvoja e partneres së tij, Alessia Elefante, e cila në atë kohë ishte shtatzënë. Pasi u dorëzoi grabitësve një orë Cartier, bizhuteri dhe 2 mijë euro cash, agresorët kërkuan me ngulm kodin e kasafortës. Kur ajo u tha se nuk e dinte kodin dhe se kasaforta ishte bosh, grabitësit u tërbuan, duke menduar se po gënjente. “Më tërhoqën nga flokët dhe njëri prej tyre më goditi në kofshë. U thashë që isha shtatzënë, por ata vazhduan”, ka dëshmuar ajo për hetuesit. Çifti përfundoi i lidhur këmbë e duar, ndërsa grabitësit u larguan me çanta luksoze, para dhe çelësat e makinave Mercedes dhe Lamborghini.
Hetimet kanë zbuluar se dy persona të burgosur, Ilyas Kherbouch dhe Khyan Mamouni, e kishin orkestruar grabitjen nga qelitë e tyre. Ndërkohë, dy nga autorët e drejtpërdrejtë, të cilët ishin të mitur në kohën e ngjarjes, janë dënuar tashmë me 3 dhe 4 vite burg. Një tjetër bashkëpunëtor ka pranuar krimin, ndërsa i katërti kreu vetëvrasje në vitin 2024.

