Rino Gattuso ka përmbysur në vetëm pak javë situatën te Lazio, duke kaluar nga një trajner që konsiderohej favorit për t’u shkarkuar në një lider të Serie A me pikë të plota. Pas humbjes së papritur ndaj Mantovës në Kupën e Italisë, vetëm një javë para nisjes së kampionatit, kuotat e kompanive të basteve e rendisnin Gattuson si trajnerin më të rrezikuar për t’u larguar nga detyra, ndërsa dyshimet për aftësitë e tij në krye të skuadrës ishin të mëdha. Megjithatë, trajneri italian nuk ndryshoi kurs dhe vazhdoi të besonte te puna e nisur gjatë fazës përgatitore. Rezultati ka qenë perfekt: Lazio ka fituar tri ndeshjet e para të kampionatit dhe aktualisht kryeson Serie A me pikë të plota.
Një nga meritat kryesore të Gattusos është krijimi i një grupi kompakt dhe rikthimi i besimit te të gjithë lojtarët. Nën drejtimin e tij, Tavares është ringjallur, Frattesi ka shpërthyer pas një sezoni të vështirë, Zaccagni është rikthyer në nivelet e tij më të mira, ndërsa Taylor, Floriani dhe Belahyane kanë qenë ndër surprizat e fillimit të sezonit. Gattuso ka ndryshuar gjithashtu identitetin e lojës së Lazios, duke transformuar skemën 4-3-3 të epokës Sarri në një futboll më agresiv dhe më ofensiv. Pavarësisht frikës fillestare se skuadra mund të humbiste ekuilibrat, Lazio ka pësuar vetëm një gol në tri ndeshjet e para.
Tani sfida e radhës është edhe më speciale për Gattuson. Të shtunën në “Olimpico” mbërrin Milani, një kundërshtar që për trajnerin italian nuk mund të jetë kurrë si gjithë të tjerët. Gattuso do ta presë ish-klubin e tij nga pozita e kreut të Serie A, me Lazion në kuotën maksimale të pikëve. Një skenar që pak javë më parë dukej thuajse i pamundur.

