Nga portier në kategorinë e nëntë angleze te mbreti i Ugandës

Një histori e pazakontë vjen nga Anglia, ku një portier që luan në kategorinë e nëntë të futbollit britanik është zgjedhur për të marrë një rol mbretëror në Ugandë. Bëhet fjalë për 36-vjeçarin George Desmond Kamurasi, portierin e SE Dons, klub që militon në Southern Counties East League Premier Division, i cili është përzgjedhur si pasardhës për t’u bërë mbreti i popullit Tooro në Ugandë.

Kamurasi ka lindur dhe është rritur në Angli, por familja e tij ka origjinë ugandeze dhe lidhje të forta me familjen mbretërore të Tooros. Ai ka vizituar disa herë Ugandën për pushime dhe për të takuar të afërmit, ndërsa pas vdekjes së kushëririt të tij, Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV, është zgjedhur si pasardhës i fronit. Oyo, i cili u bë mbret në vitin 1995 kur ishte vetëm 3 vjeç, ndërroi jetë në moshën 34-vjeçare pas një beteje me kancerin.

Tashmë Kamurasi, i njohur me nofkën “Big G”, përballet me një vendim të jashtëzakonshëm: të vazhdojë jetën në Angli, ku jeton prej vitesh me bashkëshorten dhe djalin e tij, apo të transferohet në Ugandë për të marrë përsipër rolin e mbretit të popullit Tooro. Përzgjedhja e tij është bërë nga një komitet mbretëror, ndërsa konfirmimi zyrtar pritet të bëhet pas ceremonisë së varrimit të mbretit të ndjerë, në përputhje me traditat e Tooros.

Lidhjet e Kamurasit me familjen mbretërore janë të forta. Gjyshi i tij, George Rukidi III, ishte vetë mbret i Tooros dhe në vitin 1954 priti mbretëreshën Elizabeth II gjatë vizitës së saj në Ugandë. Kështu, portieri 36-vjeçar mund të kalojë nga mbrojtja e portës në një nga rolet më të rëndësishme tradicionale të popullit Tooro.

Ironia e historisë është se Kamurasi ende mund të jetë në fushën e futbollit në një nga ditët më të rëndësishme për familjen e tij, pasi SE Dons ka një ndeshje të Kupës FA në të njëjtën ditë me ceremoninë e varrimit të mbretit Oyo. Për momentin, ai duhet të zgjedhë mes dorezave të portierit dhe kurorës së mbretit.