Messi drejt blerjes së Eldenses

Lionel Messi është pranë një tjetër investimi në futbollin spanjoll. Sipas raportimeve të mediave spanjolle “Marca” dhe “AS”, ylli argjentinas synon të blejë 100 për qind të aksioneve të Eldenses, pa përfshirë investitorë të tjerë në këtë operacion. Marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar, pasi duhet të përfundojnë procedurat ligjore, verifikimi i biznesit dhe të merret miratimi nga Këshilli Spanjoll i Sportit (CSD). Nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, Messi do të bëhet pronar i një klubi profesionist në Spanjë, duke zgjeruar aktivitetin e tij në botën e futbollit edhe jashtë fushës.

Eldense është klub nga qyteti i Eldës, në provincën e Alicante-s, me rreth 55 mijë banorë. I themeluar në vitin 1921, klubi aktualisht garon në LaLiga Hypermotion, divizioni i dytë i futbollit spanjoll, ndërsa ndeshjet si vendas i zhvillon në stadiumin “Nuevo Pepico Amat”, me një kapacitet prej rreth 5,800 spektatorësh. Eldense u rikthye në kategorinë e dytë në sezonin 2023/24, pas një pritjeje prej rreth 60 vitesh.

Blerja e Eldenses vjen pas një tjetër investimi të Messit në futbollin spanjoll. Më herët gjatë këtij viti, argjentinasi bleu klubin katalanas UE Cornellà, që garon në nivelet më të ulëta të futbollit spanjoll. Ky investim shihet si pjesë e planeve të Messit për t’u përfshirë gjithnjë e më shumë në biznesin e futbollit, ndërsa paralelisht me karrierën e tij te Inter Miami, 39-vjeçari po ndërton një portofol investimesh të lidhura me futbollin dhe zhvillimin e talenteve. Eldense mund të përfaqësojë një tjetër projekt ambicioz, me objektiv afatgjatë zhvillimin e klubit dhe krijimin e një strukture që mund ta afrojë atë me elitën e futbollit spanjoll.

Megjithatë, shuma që Messi do të paguajë për Eldensen ende nuk është bërë publike. Në muajt e fundit ishte raportuar për një ofertë prej rreth 12 milionë eurosh nga biznesmeni argjentinas Ricardo Pini, por nuk është konfirmuar nëse kjo është shuma që do të paguajë Messi. Pronari i mëparshëm i Eldenses ishte grupi ndërkombëtar i investimeve i biznesmenit kolumbian Juan Carlos Trujillo, i cili e kishte marrë klubin në tetor të vitit 2025. Messi më pas hyri në negociata për blerjen e klubit dhe, sipas raportimeve, synon ta financojë vetë të gjithë operacionin.

Në aspektin sportiv, Eldense nuk po kalon një periudhë të mirë. Klubi ka marrë vetëm dy pikë në katër ndeshjet e para të sezonit dhe së fundmi shkarkoi trajnerin Claudio Barragán, i cili u bë tekniku i parë i larguar nga një skuadër e divizionit të dytë spanjoll këtë sezon. Përkohësisht skuadra drejtohet nga Josep Ferrando, ndërsa mes emrave të përmendur si kandidatë për trajnerin e ri janë Gerardo Martín dhe Eder Sarabia.

Nëse blerja zyrtarizohet, ardhja e Messit do të përfaqësonte një ndryshim të madh për Eldensen, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe sa i përket ambicieve sportive. Kështu, një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti do të bëhej pronar i një klubi që aktualisht është vetëm një kategori larg elitës së futbollit spanjoll.