Tiger Woods dënohet me 5 vjet pa patentë

Tiger Woods ka shmangur burgun, por do të qëndrojë pesë vite pa të drejtën e drejtimit të automjeteve, pas marrëveshjes së arritur me prokurorinë amerikane lidhur me aksidentin e rëndë automobilistik të muajit mars në Florida.

50-vjeçari u paraqit në gjykatën e qarkut Martin County, ku pranoi përgjegjësinë për akuzën e reduktuar në drejtim të qëllimshëm dhe të pamatur të automjetit. Në këmbim, akuza për drejtim nën efektin e substancave u ul, duke i mundësuar Woods-it të shmangte një dënim me burg. Si pjesë e marrëveshjes, Woods duhet të paguajë 1 mijë dollarë gjobë dhe do ta ketë patentën të pezulluar për pesë vite. Ai gjithashtu ka pranuar të mos kërkojë një përjashtim që do t’i lejonte të drejtonte automjetin në rrethana të veçanta. Për një akuzë të dytë, ai u gjobit me 500 dollarë.

Çështja lidhet me aksidentin e 27 marsit, kur Woods po drejtonte një Range Rover pranë shtëpisë së tij në Jupiter Island. Sipas autoriteteve, ai tentoi të parakalonte një automjet që tërhiqte një rimorkio, por goditi atë, doli nga rruga dhe makina u përmbys. Woods, i cili ishte vetëm në automjet, arriti të dilte nga ana e pasagjerit dhe nuk pësoi dëmtime serioze. Policia deklaroi se pas aksidentit dukej i përgjumur dhe i ngadaltë, ndërsa kishte sy të skuqur dhe bebëza të zgjeruara.

Në xhepin e tij u gjetën dy pilula që u identifikuan si hidrokodon, një qetësues me recetë. Woods kishte deklaruar se kishte marrë disa ilaçe gjatë ditës, përfshirë Vicodin dhe barna të tjera. Testi i alkoolit rezultoi negativ, por golfisti refuzoi të jepte mostër urine për testim droge. Prokurori Thomas Bakkedahl mohoi se Woods ishte favorizuar për shkak të famës së tij, duke argumentuar se ishte e vështirë të provohej ligjërisht se ilaçet e kishin dëmtuar aftësinë e tij për të drejtuar. Woods kishte kërkuar fillimisht gjyq me juri dhe ishte deklaruar i pafajshëm, por më pas ndryshoi qëndrim dhe pranoi marrëveshjen. Në gjykatë ai u shoqërua nga partnerja e tij, Vanessa Trump.