Julian Alvarez dorëzohet dhe rikthehet te Atletico Madrid

Julian Alvarez mbetet te Atletico Madrid, të paktën për momentin. Sulmuesi argjentinas tentoi në çdo mënyrë të largohej gjatë merkatos së verës, me synimin për t’u transferuar te Barcelona, por marrëveshja nuk u realizua. Dëshira e Alvarez për të kaluar në “Camp Nou” solli përplasje me Atletico Madrid, teksa sulmuesi refuzoi të stërvitej me ekipin dhe nuk pranoi ofertat e tjera që mbërritën për të, përfshirë edhe atë të Arsenalit.

Në pamundësi për t’u transferuar te Barcelona, Alvarez është rikthyer te Atletico Madrid. Në ditën e fundit të merkatos ai nisi stërvitjen i diferencuar, me synimin për të rikuperuar ritmin e humbur dhe për t’u bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës. Nga kjo e diel, argjentinasi pritet të jetë në dispozicion të Diego Simeones, por për mediat spanjolle kjo nuk do të thotë se çështja është mbyllur. E ardhmja e Alvarez te Atletico Madrid mbetet ende një temë për t’u ndjekur, ndërsa tensionet e krijuara gjatë merkatos mund të ndikojnë në marrëdhënien e tij me klubin edhe në vazhdim.