Santiago Gimenez largohet nga Milani, transferohet te Porto

Santiago Gimenez i ka dhënë fund aventurës së tij te Milani dhe do të vazhdojë karrierën në Portugali, te Porto. Sulmuesi meksikan është transferuar në formë huazimi pa pagesë, me të drejtë blerjeje përfundimtare të vendosur në 18 milionë euro. Gimenez u largua nga Milano të dielën dhe, para nisjes, dha një mesazh të shkurtër për aventurën e re.

“Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit! Jam gati. Është emocionuese dhe jam i lumtur, sepse kjo është një mundësi e re”, deklaroi sulmuesi në aeroport. Kalimi te Milani nuk rezultoi ashtu siç pritej për Gimenezin, pasi mes palëve nuk pati asnjëherë një lidhje të fortë dhe sulmuesi meksikan pati vështirësi për të treguar potencialin e tij, veçanërisht për shkak të problemeve të shumta fizike dhe dëmtimeve që e kushtëzuan gjatë sezonit të kaluar. Tani Gimenez shpreson të rilindë te Porto, ku do të ketë mundësinë të gjejë vazhdimësinë dhe minutat që i kanë munguar në Itali. Nëse paraqitjet e tij bindin klubin portugez, Porto mund të aktivizojë të drejtën e blerjes përfundimtare për 18 milionë euro.