Andi Zeqiri në udhëkryq

Andi Zeqiri pritet të largohet nga Widzew Lodz, pavarësisht pagës së lartë që përfiton në klubin polak, ndërsa për sulmuesin zviceran ka interesim nga ish-klubi i tij, Standard Liege. 27-vjeçari po kalon një periudhë të vështirë te Widzew Lodz, pasi nuk është përfshirë në asnjërën nga pesë ndeshjet e para të këtij sezoni në Ekstraklasë. Situata e Zeqirit u përkeqësua pas ardhjes së trajnerit Aleksandar Vuković në mars të vitit 2026. Nën drejtimin e tij, sulmuesi ishte titullar vetëm në një ndeshje, ndërsa në shtatë të tjera u aktivizua nga stoli.

Në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit sezonin e kaluar, Zeqiri luajti vetëm 25 minuta, ndërsa mungesa e minutave ndikoi edhe në mundësitë e tij për të qenë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës në Kupën e Botës. Një nga pengesat kryesore për një transferim të ri është paga e lartë e sulmuesit, pasi Zeqiri përfiton rreth 1.5 milionë euro neto në vit në Poloni. Për këtë arsye, rikthimi në Superligën zvicerane është i vështirë. Sioni kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit, por presidenti Christian Constantin ka pranuar se paga e lojtarit përbën problem.

“Andi fiton shumë në Poloni. Është e komplikuar”, ka deklaruar Constantin. Ndërkohë, sipas ekspertit belg të transferimeve Sacha Tavolieri, Standard Liege po shqyrton mundësinë për ta rikthyer Zeqirin në Belgjikë. Sulmuesi ka luajtur më parë për klubin belg gjatë sezonit 2024/25, kur ishte i huazuar nga Genk, duke kaluar një periudhë të suksesshme në Liège, ku shënoi 10 gola dhe dhuroi katër asistime në 26 ndeshje. Standard Liege është në kërkim të një sulmuesi të ri, pasi Dennis Eckert Ayensa pritet të largohet nga klubi. Kështu, Zeqiri ndodhet përballë një zgjedhjeje mes një page të lartë në Poloni dhe mundësisë për t’u rikthyer në Belgjikë, ku më parë kishte gjetur formën dhe minutat e dëshiruara.