Luis Enrique u shfaq i kënaqur pas barazimit 2-2 të Paris Saint-Germain ndaj Rennes në javën e parë të Ligue 1, pavarësisht se kampionët e Francës e panë veten në disavantazh të dy golave. PSG po humbiste 0-2 deri 20 minuta para fundit, por reagoi në mënyrën më të mirë, me afrimin e ri Ferran Torres që mori skenën kryesore duke realizuar një dopietë dhe duke i dhënë skuadrës së tij një pikë.
“Nuk luajti keq, apo jo? Shënoi dy gola, por jam i kënaqur me të gjithë lojtarët që u aktivizuan në një ndeshje shumë të vështirë”, deklaroi Luis Enrique.
Trajneri spanjoll pranoi se skuadra e tij pati probleme për të kontrolluar Rennesin në pjesën e parë. “E patëm shumë të vështirë ta kontrollonim Rennesin në pjesën e parë. Ata ishin shumë të mirë në kundërsulme dhe shënuan dy gola të mrekullueshëm. Ishte e vështirë, por për mua është e rëndësishme të shoh se shumë lojtarë janë gati”, tha ai.
Luis Enrique nuk e krahasoi këtë paraqitje me ndeshjen ndaj Lensit në Kupë, duke theksuar se ritmi i Ligue 1 kërkon një tjetër qasje. “Në Ligue 1 duhet të jesh më i përgatitur dhe më i vëmendshëm. Është vetëm java e parë dhe kemi ende hapësirë për përmirësim”, shtoi tekniku i PSG-së.
I pyetur për afrimet e reja, trajneri i kampionëve francezë vlerësoi punën e klubit gjatë merkatos së verës, por la të hapur mundësinë për lëvizje të tjera. “Kërkojmë vazhdimisht të gjejmë lojtarët më të mirë për çdo ndeshje. Është më e vështirë se vitin e kaluar dhe kjo është ambicia jonë. Mendoj se kemi bërë një merkato të shkëlqyer verore dhe jemi ende të hapur ndaj mundësive të ndryshme”, deklaroi Luis Enrique.
Ai theksoi gjithashtu se suksesi i vazhdueshëm është një sfidë e madhe për çdo skuadër. “Të gjithë e dinë se sa e vështirë është për një ekip të fitojë gjithmonë. Është e qartë se duhet të përmirësohemi ende”.
Luis Enrique foli edhe për Ousmane Dembele-në, i cili u zëvendësua pas një pjese të parë jo në nivelin e tij, duke dërguar një mesazh të qartë për yllin francez dhe gjithë skuadrën. “Ky është futbolli. PSG nuk ka fituar asgjë, asgjë. Nëse mendon për atë që ke fituar, nuk do të fitosh asgjë”, u shpreh ai.
Trajneri spanjoll kërkoi përqendrim maksimal nga lojtarët, pavarësisht trofeve të fituara në të kaluarën. “Nuk ka hapësirë për gabime. Duhet të tregosh çdo ditë, në çdo ndeshje dhe në çdo stërvitje se je gati. Përndryshe është e lehtë të relaksohesh dhe të rrëshqasësh. Unë nuk jam i tillë. Ne gjithmonë kërkojmë të fitojmë dhe, për të fituar gjithmonë, duhet të dalësh nga zona jote e rehatisë”, përfundoi Luis Enrique.

