Andi Hadroj është tashmë futbollist i lirë dhe mund të bëhet një alternativë interesante për klubet e Kategorisë Superiore. Mbrojtësi 27-vjeçar ka mbyllur bashkëpunimin me klubin ukrainas Polissya Zhytomyr, duke i dhënë fund aventurës së tij në Ukrainë.
Anësori i Kombëtares shqiptare nuk po gjente hapësira në formacionin e skuadrës ukrainase dhe kohët e fundit ishte aktivizuar me ekipin e dytë. Në këto kushte, palët kanë vendosur të ndajnë rrugët, edhe pse kontrata e Hadrojt ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2027. Tashmë, mbrojtësi i djathtë mund të shqyrtojë oferta të reja dhe një rikthim në futbollin shqiptar nuk përjashtohet. Për klubet e Superiores, eksperienca dhe statusi i tij si lojtar i lirë e bëjnë Hadrojn një opsion të leverdishëm në merkato. 27-vjeçari është një emër i njohur për futbollin shqiptar. Hadroj ka spikatur veçanërisht me Partizanin, ndërsa më herët ka veshur edhe fanellat e Bylisit dhe Laçit. Tani mbetet për t’u parë se ku do të vijojë karrierën mbrojtësi shqiptar, me klubet e Superiores që mund të shfrytëzojnë mundësinë për të afruar një futbollist me eksperiencë dhe pa kosto transferimi.

