Një dokumentar i ri i Prime Video ka zbuluar prapaskena të pathëna nga dy sezonet e fundit të Pep Guardiolës te Manchester City, duke përfshirë një përplasje të tensionuar me Kyle Walker që e la trajnerin katalanas të emocionuar deri në lot. Ngjarja ndodhi pas humbjes 2-0 ndaj Liverpoolit në dhjetor 2024. Në dhomat e zhveshjes, Walker u përball me Guardiolën dhe e akuzoi trajnerin se e veçonte vazhdimisht në kritikat e tij.
“Ti vazhdon ta përmendësh emrin tim, në çdo mbledhje…”, i tha Walker, duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si trajtohej gjatë analizave të ekipit. Guardiola reagoi në mënyrë emocionale, duke i thënë mbrojtësit anglez se kritikat e tij nuk kishin lidhje me mungesën e dashurisë apo respektit. “Nëse unë jam problem, duhet të ma thuash… kjo nuk do ta ndryshojë dashurinë që kam për të gjithë ju. As edhe për një sekondë. Por unë dua të luftoj. Kaq. Më fal”, u shpreh Guardiola. Pas kësaj përplasjeje, Walker zhvilloi vetëm shtatë ndeshje të tjera me Manchester Cityn, përpara se të largohej në formë huazimi te Milani. Në vitin 2025, ai u largua përfundimisht nga klubi anglez dhe iu bashkua Burnleyt. Dokumentari sjell gjithashtu në vëmendje një tjetër moment emocional, atë të Kevin De Bruynes.
Mesfushori belg u përlot kur mësoi se Manchester City nuk do t’i ofronte kontratë të re. “Fëmijët e mi nuk duan të largohen… ka qenë një periudhë e vështirë për ne si familje”, rrëfeu De Bruyne. Seria dokumentare zbulon edhe prapaskenat e transferimit të Rayan Cherkit. Guardiola këmbënguli për afrimin e francezit, pavarësisht dyshimeve të drejtuesve të klubit për reputacionin e tij si një lojtar “kaotik”. Drejtori i futbollit Hugo Viana dhe CEO-ja Ferran Soriano fillimisht kishin rezerva për Cherkin, por Guardiola arriti t’i bindte për transferimin e tij. Francezi më pas pati një debutim të suksesshëm, duke shënuar 10 gola dhe dhuruar 15 asistime. Ai ndihmoi Manchester Cityn të fitonte FA Cup dhe Carabao Cup, trofetë e fundit të Guardiolës përpara largimit të tij nga posti. Ndërkohë, trajneri katalanas foli edhe për të ardhmen e tij dhe vështirësinë e rikthimit në futboll. “Do të jetë e vështirë të rikthehem, kjo është ndjesia ime sot… Ajo që kam gjetur, më duhet ta gjej veten paksa, në gjëra të ndryshme”, tha Guardiola.

