Egnatia dhuroi një tjetër mbrëmje spektakolare në Europë, duke përmbysur Shamrock Rovers me rezultatin 5-1 dhe duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër. Pas ndeshjes, trajneri Nevil Dede vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe theksoi se rrogozhinasit nuk kanë ndërmend të dorëzohen përballë Lillestrøm.
Dede u shpreh se objektivi për të arritur në fazën e grupeve ishte vendosur që pas triumfit në “Final Four” dhe tashmë skuadra është shumë pranë realizimit të tij.
“Që kur fituam ‘Final Four’, fjalia e parë që kemi thënë ka qenë se duam të shkojmë në grupe. Ia dolëm. Mendoj se shpërdoruam një ndeshje në Irlandë, por zgjedhjet ndonjëherë mund të mos funksionojnë. Kjo fitore është për të gjithë futbollin shqiptar. Është një reklamë e mirë për të gjithë”, tha Dede.Trajneri vlerësoi edhe zgjedhjet taktike që sollën suksesin, duke veçuar Albanesen, Adjesan dhe kapitenin Aleksi. Sipas tij, skuadra reagoi në mënyrë perfekte dhe tregoi karakter në momentet vendimtare.
“Besoj se kjo mund të hyjë në një nga ndeshjet perfekte. Albanese ishte çelësi, ndërsa Adjesa më dha të drejtë jo vetëm mua. Kam shumë shpresa tek ai dhe ai ka zëvendësuar shumë mirë Bakayokon. Edhe Alba bëri një ndeshje perfekte”, u shpreh tekniku.
Sa i përket sfidës së radhës, Dede nuk e konsideron Egnatian inferiore ndaj skuadrës norvegjeze.
“Do të luajmë me Lillestrøm dhe do ta provojmë, pse jo? Nuk jemi inferiorë dhe nuk e shohim veten të tillë. Edhe pse klubet norvegjeze po ecin mirë, ne do ta provojmë. T’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. A mundemi? Do ta provojmë dhe pastaj do të shohim”, deklaroi ai.
Dede pranoi se skuadra ka nevojë për ndërhyrje edhe në merkato, pasi disa pozicione nuk kanë alternativa të mjaftueshme. Megjithatë, ai theksoi se vendimet për përforcimet i takojnë klubit.
“Disa pozicione janë të padubluara. Unë mund të bëj kërkesa pa fund, por jemi në mes të gushtit dhe zgjidhjet nuk janë të lehta. Presidenti jeton 24 orë me ne dhe patjetër që i di dëshirat tona”, përfundoi Dede.

