Diego Maradona kishte shfaqur “shenja alarmi” që nuk u morën në konsideratë nga mjekët gjatë kujdesit në shtëpi, përpara vdekjes së tij në vitin 2020. Kështu deklaroi në gjykatë mjeku ligjor, Carlos Cassinelli, në procesin ndaj shtatë profesionistëve të shëndetësisë, të akuzuar për neglizhencë të mundshme që mund të ketë ndikuar në vdekjen e legjendës së futbollit argjentinas.
Maradona ndërroi jetë si pasojë e pamjaftueshmërisë kardiake dhe edemës pulmonare akute, rreth dy javë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas Cassinellit, në ditët para vdekjes, Maradona kishte shfaqur edemë në gjymtyrët e poshtme, ënjtje të gishtave, vështirësi në frymëmarrje, hipertension dhe një rrahje zemre anormalisht të lartë.
“Asnjë nuk shkoi të kontrollonte se nga vinte ajo ënjtje”, deklaroi mjeku ligjor, duke e cilësuar situatën si një rrezik potencialisht fatal. Eksperti shtoi se gjendja e ish-yllit të Barcelonës dhe Napolit ishte përkeqësuar gradualisht pas daljes nga spitali dhe se vendimi për ta mbajtur në kujdes shtëpiak ishte një gabim. Sipas rindërtimit të tij, Maradona mund të ketë kaluar rreth 12 orë në agoni përpara se të ndërronte jetë. Shtatë të pandehurit mohojnë çdo përgjegjësi dhe pretendojnë se kampioni argjentinas, i cili kishte pasur më herët probleme me varësinë ndaj kokainës dhe alkoolit, vdiq për shkaqe natyrale.

