Ish-mbrojtësi i Francës, Benjamin Mendy, ka vendosur të shesë medaljen e artë të fituar në Kupën e Botës 2018, duke surprizuar tifozët e futbollit. Medalja, e fituar pas triumfit historik të Francës ndaj Kroacisë në finalen e Botërorit në Rusi, është shitur në një ankand ndërkombëtar për 54 mijë euro.
Sipas raportimeve, medalja u shit përmes ankandit të organizuar nga Goldin, ndërsa blerësi mori edhe një certifikatë origjinale të nënshkruar nga Mendy. Mediat franceze bëjnë të ditur se medalja kishte shenja konsumimi, por ruante mbishkrimin përkujtimor “Les Bleus”, nofkën e kombëtares franceze.
Karriera e Mendy ka ndryshuar rrënjësisht që nga triumfi i vitit 2018. Pas largimit nga Manchester City dhe problemeve jashtë fushës, ai aktualisht është pjesë e klubit polak Pogon Szczecin. Mbrojtësi u përball me akuza të shumta për përdhunim, por më vonë u shpall i pafajshëm për të gjitha rastet. Që prej vitit 2019 ai nuk është rikthyer më në Kombëtaren e Francës.

