Barcelona sfidon Realin për yllin e Manchester City-t

Barcelona dhe Real Madridi pritet të përballen në një tjetër duel, këtë herë jashtë fushës, për shërbimet e mesfushorit të Manchester Cityt, Rodri. Klubi katalunas e ka identifikuar kapitenin e “Qytetarëve” si objektivin kryesor për të forcuar repartin e mesfushës defensive, pas dëmtimit të rëndë të Frenkie de Jongut në gju. Sipas raportimeve të gazetarit Matteo Moretto për “Radio MARCA”, Barcelona ka nisur lëvizjet e para për të kuptuar mundësinë e një transferimi, pavarësisht kufizimeve financiare dhe rregullave të pagave në klub.

Megjithatë, në garën për 30-vjeçarin, avantazhin aktualisht e ka Real Madridi. “Los Blancos” raportohet se kanë nisur kontakte të drejtpërdrejta me Manchester Cityn, i cili e vlerëson kartonin e Rodrit mes 50 dhe 60 milionë eurove.