Egnatia barazoi 3-3 ndaj sllovenëve të Celjes në ndeshjen e parë të raundit të dytë të UEFA Champions League, duke lënë të hapur sfidën e kthimit me mundësi të mëdha kualifikimi në raundin e tretë. Nëse ëndrra bëhet realitet, atëherë ekipi nga Rrogozhina do të përforcojë bindjen se edhe me pak para e me shumë ide, futbolli shqiptar mund të rilindë falë këmbënguljes dhe dëshirës për të bërë sport të pastër.
Takimi i luajtur mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Egnatia Arena” reflektoi jo vetëm futboll modern por edhe dëshirë për të ndjekur një objektiv të qartë që presidenca e ka ndërtuar hap pas hapi duke hequr tulla e vendosur gurë në një skuadër që nuk është dobësuar asnjëherë por edhe kur ka fituar në merkato, ka shtuar cilësi në fushë, e ky është shembulli që ndoshta organizatorët e futbollit tonë duhet t’u imponojnë klubeve me histori por pa kurajë për të guxuar.
Themelet e Egnatias janë të shëndosha dhe lakmuesi më i mirë për të vërtetuar këtë fakt është se emri i trajnerit të ri pak rëndësi ka, kushdo që merr drejtimin e skuadrës ka një brum të bollshëm për të gatuar ekipin dinnjitoz në Europë. Egnatia është sot antiteza e futbollit shqiptar dhe për këtë meriton vetëm duartrokitje.
Pirro Bardhyli

