Luka Modric pritet t’i japë fund aventurës së tij me fanellën e Kroacisë pas më shumë se një dekade të mbushur me suksese dhe rekorde. Mesfushori kroat, i cili së fundmi ka rinovuar kontratën me Milanin edhe për një sezon tjetër, raportohet se ka vendosur që të tërhiqet nga kombëtarja pas ndeshjes së Ligës së Kombeve ndaj Spanjës, e planifikuar të zhvillohet më 6 tetor në stadiumin “Poljud” të Splitit.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Modric ka informuar trajnerin e Kroacisë për vendimin e tij dhe pas kësaj sfide do të fokusohet tërësisht te objektivat me Milanin. Nëse konfirmohet, kjo ndeshje do të shënojë fundin e një epoke për Kroacinë, pasi 41-vjeçari largohet si një nga figurat më të mëdha në historinë e kombëtares. Modric ka zhvilluar deri tani 202 paraqitje me Kroacinë dhe ka shënuar 29 gola, duke udhëhequr ekipin drejt dy medaljeve në Kupën e Botës, përfshirë finalen e vitit 2018. Në të njëjtin vit, ai u shpall Lojtari më i Mirë i Botës dhe Lojtari më i Mirë i Kupës së Botës pas një paraqitjeje historike në turneun e zhvilluar në Rusi. Sipas mediave italiane, vendimi për të vazhduar me Milanin lidhet me dëshirën e Modric për ta mbyllur karrierën në nivelet më të larta dhe për të kërkuar një tjetër trofe para fundit të aventurës së tij në futbollin elitar.

