Fantastike puna e trajnerit Luis de la Fuente, që ka ndërtuar një grup pa yje, por me shpirt dhe veprime automatike. Që tani është projektuar 2030-a.
Sekretet e Spanjës, që plot meritë u shpall kampione bote, mund të jenë 100. Por mund të jetë edhe vetëm 1: trajneri Luis de la Fuente ka ndërtuar një kombëtare me karakteristikat e një skuadre klubi. Secili e disa saktësisht atë çfarë duhet të bëjë në çdo moment të ndeshjes. Gabimet janë reduktuar në minimum, edhe ato individuale, që shpesh përcaktojnë rezultatin.
Nuk është e lehtë të arrish të zhvillosh disa automatizma loje, kur ke në dispozicion lojtarë për pak ditë. Spanja ia ka dalë në këtë drejtim dhe triumfi botëror e certifikon De la Fuenten si një trajner zotëri. Shumë më shumë se një trajner normal, një maestro me “M” të madhe.
Spanja kampione bote është një skuadër pa yje të vërtetë. Është Lamine Yamal, vërtet, por në Botëror erdhi në një gjendje fizike jo të mirë, kështu që ishte si gjithë të tjerët. Në pak raste ishte vendimtar, “ndezi” në ndonjë rast, por ishte në shërbim të grupit, pa sjellje prej ylli në fushë. E dinte që ishte i dobishëm, por jo i pazëvendësueshëm.
Për trajnerin De la Fuente, një vlen një dhe duhet t’i shërbejë skuadrës. Nëso kjo nuk ndodh, një vlen zero dhe luan dikush tjetër. Pedri është një lojtar i afirmuar, titullar te Barcelona, por kur nuk ka funksionuar, ia ka lënë vendin Fabian Ruiz. De la Fuente është trajneri i parë, që luan një Botëror pa asnjë lojtar të Real Madrid (tani është Cucurella).
Nëse kjo Spanjë nuk ka yje, me siguri ka shpirtin e saj, ka lojtarë që më shumë se të gjithë imponojnë një stil loje me prezencën e tyre. Mesfusha e jashtëzakonshme e “La Roja” nuk do të ishte e njëjta, nëse nuk do të udhëhiqej nga Rodri, i rikthyer në nivelin e “Topit të Artë”.
Rodri nuk lëviz nga qendra e mesfushës edhe kur ndaj tij luhet pisët. Ai ndihmon çdo lojtar që është në vështirësi. Gjendet gjithmonë në vendin e duhur, në momentin e duhur, bën gjithmonë lëvizjen më të nevojshme për skuadrën.
Shpirti tjetër i skuadrës është Cubarsì, i lindur në vitin 2007 dhe që duket sikur është 10 vjet më i madh. Mbron shumë mirë dhe ka një aftësi të jashtëzakonshme të vertikalizojë lojën, përveçse gjuan në ndonjë rast. Ka një buzëqeshje nën ato baluket e çuditshme dhe di të përdorë mençurinë në fushë.
Falë freskisë së Cubarsì (i riu më i mirë i Botërorit), por edhe eksperiencës së Laporte dhe bashkëpunimit të Pedro Porro dhe Cucurella, Spanja ka pasur mbrojtjen më të mirë të turneut.
Pa harruar portierin Unai Simon, që bën pak pritje, por di që të bëhet lojtari i 11-të në lëvizje me daljet e tij. Një libero i viteve ’70. Tani rekordi i pathyeshmërisë në Botëror është i tij. Spanja ka pësuar vetëm një gol, atë ndaj Belgjikës, dhe ka lejuar 8 gjuajtje në portë nga 8 skuadrat, me të cilat është përballur. Edhe ky është një rekord.
Spanja dhe De la Fuente janë në një pikë shumë të mirë edhe për Botërorin 2030. Një pjesë e mirë e ketij ekipi do të jenë edhe në edicionin e ardhshëm. Cubarsì do të jetë 23 vjeç, ashtu si Lamine Yamal. A ka ende mundësi ta përmirësosh një skuadër që luan në këtë mënyrë perfekte? Ndoshta po, duke gjetur një qendërsulmues të vërtetë.
Oyarzabal ishte shumë i dobishëm në Botëror, por nëse del një goleador i ri, një “9” e vërtetë, atëherë do të jetë e pamundur t’i ndalësh kampionët e rinj të botës.

