Spanja e mbylli Kupën e Botës 2026 në mënyrën më bindëse të mundshme, duke lënë shumë pak hapësirë për diskutime mbi meritën e titullit. Skuadra e Luis de la Fuentes dominoi turneun nga fillimi në fund dhe në finale triumfoi 1-0 ndaj Argjentinës pas kohës shtesë.
Rruga e La Rojas drejt kurorës botërore u shoqërua me statistika mbresëlënëse:
1 – Spanja pësoi vetëm një gol gjatë gjithë turneut, në fitoren 2-1 ndaj Belgjikës në çerekfinale. Asnjë kampion bote më parë nuk e ka fituar trofeun me një bilanc kaq të ulët golash të pësuar.
0 – Iberikët nuk u gjendën asnjëherë në disavantazh gjatë Kupës së Botës 2026. Më parë këtë arritje e kishin regjistruar vetëm Gjermania Perëndimore në vitin 1990 dhe Italia në vitin 1938.
2.3 – Ky ishte treguesi i golave të pritur kundër (xGA) për Spanjën gjatë gjithë kompeticionit. Në tetë ndeshje, rivalët e saj prodhuan vetëm 46 goditje në kuadrat.
10 – Vetëm 10 pritje realizoi portieri Unai Simon në të gjithë turneun, sipas të dhënave të Opta-s. Për krahasim, Emiliano Martinez bëri 11 pritje vetëm në finalen ndaj Spanjës.
38 – Seria e pamposhtur e Spanjës ka arritur tashmë në 38 ndeshje, rekordi më i gjatë i regjistruar ndonjëherë për një kombëtare evropiane ose amerikano-jugore.
3 – Tre fitore të Spanjës në këtë Botëror u vulosën nga lojtarë të aktivizuar nga stoli. Mikel Merino rezultoi vendimtar ndaj Portugalisë në 1/8-at e finales dhe Belgjikës në çerekfinale, ndërsa Ferran Torres shënoi golin që vendosi finalen kundër Argjentinës.

