Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka përgëzuar kombëtaren franceze pas fitores në ndeshjen e parë të Botërorit 2026 ndaj Senegalit, duke shprehur optimizëm të madh për rrugëtimin e “Bluve” në turne. Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social X, ku bëri një përmbledhje të punimeve të samitit të G7, Macron gjeti kohë edhe për të komentuar suksesin e përfaqësueses franceze. Kreu i shtetit vlerësoi paraqitjen e ekipit dhe e cilësoi fitoren si një nisje shumë të mirë të kompeticionit. “Urime ‘Bluve’ tanë. Është një fillim i mirë i Kupës së Botës”, deklaroi Macron, duke treguar mbështetjen e tij për skuadrën kombëtare.
Presidenti francez shkoi edhe më tej, duke shprehur bindjen se Franca do të arrijë deri në ndeshjen vendimtare të turneut. “Shpresoj të jem atje, e di se do të jem atje më 19 korrik”, tha ai, duke iu referuar finales së Botërorit. Deklarata e Macronit pasqyron besimin e madh që ekziston në Francë për potencialin e skuadrës, e cila e nisi me fitore aventurën në Botërorin 2026. Tashmë, kampionët e botës të vitit 2018 synojnë të avancojnë sa më larg në turne dhe të luftojnë për një tjetër trofe të madh ndërkombëtar.

