Luis Enrique i trembet sistemeve të Artetës

“Nuk besoj se dy skuadrat janë në skaje të kundërta, Arsenal është një skuadër e ndërtuar sipas imazhit dhe ngjashmërisë së trajnerit të saj: Mikel Arteta është nisur qartë nga ideologjia futbollistike e spanjollit Pep Guardiola, e bazuar te mbajtja e topit. Janë jashtëzakonisht konkurrues dhe pasqyrojnë në mënyrë perfekte personalitetin e Mikel”. Kështu u shpreh trajneri i PSG, Luis Enrique, gjatë një interviste të gjatë për faqen zyrtare të UEFA-s, në prag të finales së Champions League kundër Arsenalit.

“Janë skuadra më e mirë mbrojtëse në Europë prej disa vitesh tashmë dhe kjo është një kombinim shkatërrues, sepse nuk varen nga një lojtar i vetëm. Shënojnë shumë nga goditjet standarde dhe kanë një ekuilibër të jashtëzakonshëm: pësojnë shumë pak dhe në të njëjtën kohë shënojnë shumë gola”, shtoi ai.

“Ndoshta dikush do të thotë se nuk shënojnë me aksione të ndërtuara kolektivisht, por sinqerisht… a ka rëndësi kjo? Mjafton të pyesni tifozët e Arsenalit: ata janë sigurisht shumë të lumtur. Sapo kanë fituar Premier League dhe i përgëzoj. E meritonin që nga fillimi i sezonit, sepse kanë zhvilluar një kampionat të jashtëzakonshëm. Kanë qenë shumë pranë fitimit të çdo kompeticioni ku morën pjesë”, vazhdoi Luis Enrique.

“Jemi të ngjashëm në faktin se, ashtu si Arsenali, kërkojmë të nxjerrim maksimumin nga cilësitë tona. Për ta arritur këtë duhet të mbajmë topin dhe të shprehemi përmes lojës. Edhe ne mund të jemi të rrezikshëm në goditjet standarde, por mbi të gjitha na pëlqen të kemi posedimin, të luajmë me topin dhe të gjejmë hapësira për të thyer linjat kundërshtare”, deklaroi sërish Luis Enrique.