Premtimi për të optimizuar gjumin, rikuperimin dhe ushqyerjen po tërheq gjithnjë e më shumë elitën e futbollit botëror. Por mes shkencës, marketingut dhe obsesionit për të dhënat ekziston një vijë shumë e hollë që po ngre gjithnjë e më shumë pikëpyetje.
Emra si Marcos Llorente, Erling Haaland dhe Cristiano Ronaldo janë kthyer në simbol të kësaj tendence të re të quajtur “biohacking”, një industri që synon të përmirësojë trupin e sportistit deri në detajet më të vogla dhe që ka gjetur në futbollin elitar platformën ideale për t’u shfaqur. Ish-mbrojtësi i Athletic Bilbaos, Fernando Amorebieta, ka fituar miliona euro me startup-in e tij për terapi me dritë të kuqe, ndërsa Cristiano Ronaldo ka investuar në kompaninë Bioniq, e specializuar në suplementim të personalizuar. Nga ana tjetër, Marcos Llorente ka krijuar markën e tij “Free Human”, me të cilën promovon filozofinë e tij të jetesës së shëndetshme. Këta tre futbollistë përfaqësojnë një fenomen të përbashkët: obsesionin për optimizimin e trupit përmes teknologjisë dhe metodave të avancuara të rikuperimit.
Në këtë trend përfshihen terapi me dritë të kuqe, krioterapi, syze që bllokojnë dritën blu, sensorë të glukozës dhe pajisje të tjera inteligjente, të cilat tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë së shumë futbollistëve të nivelit të lartë. Erling Haaland, për shembull, ka investuar në pajisje krioterapie dhe përdor metoda të ndryshme për të mbajtur trupin në gjendje optimale, përfshirë edhe dieta të veçanta dhe teknika rigoroze të rikuperimit.
Marcos Llorente konsiderohet si një nga ambasadorët kryesorë të kësaj filozofie në Spanjë. Ai përdor rregullisht teknika si ekspozimi ndaj të ftohtit dhe syze që bllokojnë dritën blu, ndërsa disa nga shokët e tij të skuadrës tek Atletico Madridi kanë adoptuar pjesërisht këtë stil jetese.
Cristiano Ronaldo përfaqëson anën tjetër të këtij fenomeni: atë të investitorit dhe pionierit të performancës së lartë. Rutina e tij e detajuar, që përfshin gjashtë vakte në ditë, krioterapi dhe pajisje të avancuara rikuperimi, është kthyer në model për shumë futbollistë që synojnë karrierë të gjatë deri në moshë të avancuar.
Edhe klubet e mëdha janë futur në këtë garë për optimizim të trupit. Barcelona përdor analiza gjenetike për të parandaluar dëmtimet, Real Madridi punon me dhoma hipoksie për rikuperim, ndërsa Manchester City përshtat stërvitjet sipas ritmit biologjik të lojtarëve.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se mes shkencës dhe marketingut ekziston një zonë gri. Sipas fizioterapistëve të specializuar, problemi më i madh është obsesioni me të dhënat, që shpesh mund të ndikojë negativisht në performancë, duke e kthyer trupin në një “Excel”, gjë që në sport nuk funksionon.
Pyetja kryesore mbetet: a është biohacking një avantazh real sportiv apo një trend i ekzagjeruar komercial? Përgjigja duket se qëndron në balancë: optimizimi i trupit është i rëndësishëm, por jo në kurriz të natyrës njerëzore të sportit.
sfidanti.al

