Vinicius Junior ka vendosur t’i japë fund të gjitha spekulimeve për raportin e tij me Kylian Mbappe te Real Madridi. Sulmuesi brazilian doli publikisht në mbrojtje të francezit, duke mohuar çdo tension në dhomat e zhveshjes dhe duke e cilësuar shokun e skuadrës si një futbollist “legjendar”. Në javët e fundit, mediet spanjolle dhe franceze raportuan për një atmosferë jo të mirë mes dy yjeve ofensivë të “Los Blancos”, madje u fol edhe për ndarje brenda grupit. Por Vinicius insistoi se raporti mes tyre është shumë pozitiv.
“Është një lojtar legjendar. Ende nuk kemi treguar versionin tonë më të mirë së bashku, por ai do të lërë gjurmë te Real Madridi”, deklaroi braziliani. Vinicius pranoi se bashkëjetesa mes dy futbollistëve me personalitet dhe cilësi kaq të mëdha kërkon kohë, por theksoi se objektivi i tyre i vetëm është suksesi i klubit madrilen. Sulmuesi brazilian zbuloi gjithashtu se prej vitesh kishte tentuar ta bindte Mbappen që të transferohej në “Santiago Bernabeu”. “Çdo verë i shkruaja: ‘Kur po vjen?’. Kam bërë rolin e menaxherit edhe me të, edhe me Bellinghamin. Dua të luaj me më të mirët”, tregoi ai. Mbappe ka shkëlqyer që nga transferimi te Reali, duke fituar dy herë radhazi “Pichichi”-n dhe duke thyer rekorde golash në sezonet e tij të para në Spanjë.
Ndërkohë, Vinicius vazhdon të mbetet një nga figurat kryesore të projektit madrilen, edhe pse negociatat për rinovimin e kontratës ende nuk janë mbyllur. Braziliani theksoi se ndihet shumë i lumtur te Reali dhe se nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e tij në klub.
sfidanti.al

