Ka përfunduar edicioni garues në Raiffeisen Ligën e Parë (Kosova), me një xhiro të fundit tejet interesante dhe vendimtare për kreun e tabelës dhe garën për play off. Vushtrria është shpallur kampione e Ligës së Parë dhe ka siguruar rikthimin direkt në Albi Mall Superligë, pas fitores së madhe në Gjakovë ndaj Vëllaznimit, me rezultat 3:1. Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku e mbylli kampionatin në vendin e parë me 75 pikë. Ndeshja në Gjakovë nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 13-të me golin e Dardan Jasharit. Megjithatë, Vushtrria reagoi në pjesën e dytë. Fillimisht rezultati u barazua në minutën e 51-të, pas një aksioni ku topi përfundoi në rrjetë pas devijimit të Urim Statovcit dhe ndërhyrjes së pasuksesshme të mbrojtjes vendase.
Feronikeli 74 e mbylli kampionatin në vendin e dytë me 74 pikë dhe siguroi rikthimin në Superligë pas vetëm një edicioni të kaluar në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. Ndërkohë, Liria siguroi pjesëmarrjen në barazhin e Ligës së Parë, pas fitores bindëse në udhëtim ndaj Dinamos së Ferizajt, me rezultat 5:1.
sfidanti.al

