Yamal para tifozëve: Do të festojmë me paradë edhe Championsin

Barcelona vazhdon festën për titullin kampion në LaLiga, ndërsa protagonisti absolut i paradës së triumfit ishte edhe një herë Lamine Yamal. Talenti 18-vjeçar, i cili tashmë ka fituar tre tituj kampionë në po aq sezone me ekipin e parë të Barcelonës, ndezi entuziazmin e tifozëve me një premtim të madh për të ardhmen. Gjatë festimeve në rrugët e Barcelonës, sulmuesi ‘blaugrana’ falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj skuadrës së Hansi Flick. “Është diçka e pabesueshme. Ata janë gjithmonë me ne, si në ditët e mëdha ashtu edhe në ato më të vështira. Ky është klubi i jetës sonë dhe ne do të jemi gjithmonë këtu për ta, sepse i duam shumë”, deklaroi Yamal për mediet e klubit.

Megjithatë, ‘ylli’ i ri i katalanasve e bëri të qartë se nuk dëshiron të ndalet vetëm te sukseset në Spanjë. Mes atmosferës elektrizuese të paradës, ai premtoi se synimi i radhës është triumfi në UEFA Champions League. “Duhet ta vlerësojmë çdo trofe, sepse nuk është aspak e lehtë të fitosh. Kemi kaluar vite shumë të vështira, por tani po e shijojmë këtë moment. Mendon se është një ditë e zakonshme pune në Barcelonë, por njerëzit janë sërish këtu me ne. Një paradë për Champions-in? Sigurisht që po”, u shpreh sulmuesi.

sfidanti.al