NBA, a ka zgjidhje për Lebronin e Klivlendin, ndaj Golden Stejtit?!

Në dy ndeshje nuk pati. Lebron Xhejms ia doli të luante sërish shkëlqyeshëm, por skuadra që pati përballë, Golden Stejti, ishte sërish më mirë sesa kaq. “Mbreti” i basketbollit, u përpoq të shënonte sa më shumë pikë, për të ndihmuar ekipin ndaj një superfuqia, ai ruajti topat që duheshin kapur në tabela, dhe ai ndihmoi shokët e tij të Klivlendit duke dhënë pasime për kosh, e duke realizuar një “tripëll dabëll”. Për më tepër, Xhejms pati edhe detyrën tepër të vështirë të mbulonte Kevin Durantit, kur kundërshtari sulmonte.

Lebron mund t’ia kishte dalë ndaj kujtdo skuadre, por jo ndaj kësaj. “Golden Stejti është ekip ndryshe nga të tjerët”, – theksoi vetëm Xhejms pas humbjes në ndeshjen e dytë. Me një standard të tillë, edhe një “makineri” si ai nuk mund të përballojë këto ritme dhe këto detyra për 46 minuta.

Uorriors kanë gjithçka që i duhet. Kanë Kevin Durantin, një superlojtar modern pranë nivelit të vetë Lebronit, që ka mesatarisht 35 pikë për ndeshje. Kanë Stefën Kërrin që po bën kosha mu nën hundët e Lebronit, dhe ka mesatare 32 pikë për ndeshje. Kanë Klej Tompsonin që më në fund e gjeti frymëzimin për të shënuar kosha, por edhe Drejmond Grini, që ka kuptuar gabimin dhe nuk do të përjashtohet siç i ndodhi vjet në finale.

Së fundi, është kthyer nga infermieria trajneri Stiv Kerr, prej 11 ndeshjesh i larguar për shkak sëmundjeje. Me “timonierin” në drejtim, Golden Stejti mund të bëhet edhe më i rrezikshëm sesa tani. Gjithsesi, pritet se çfarë do të bëjë Klivlendi duke u gdhirë e enjtja, në ndeshjen e tretë që e ka në shtëpi.

Sfidanti.al