Xhaferri i falënderon të gjithë: Momentet që e bëjnë Vllazninë të madhe

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, ka shprehur me një postim në Facebook emocionet që i dhuron skuadra kuqeblu dhe i ka falënderuar të gjithë, që nga lojtarët deri te tifozët. Më tej, presidenti ka shtuar edhe se çdo mbështetje për ekipin nga institucionet është e mirëpritur.

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, ka falënderuar skuadrën e tij dhe tifozët për emocionet e mëdha të dhuruara gjatë këtij sezoni. Xhaferri ka publuar në faqen e tij në Facebook një foto të festimeve në dhomën e zhveshjes pas fitores 2-0 me Partizanin, me fjalët “këto janë momentet që e bëjnë Vllazninë të madhe. Kjo skuadër po tregon çdo ditë se çfarë do të thotë përkushtim, karakter dhe dashuri për fanellën”.

Pas falënderimit të lojtarëve, stafit dhe tifozëve, presidenti ka vazhduar se “çdo mbështetje për ekipin, përfshirë edhe iniciativa si shpërblimet nga institucionet shtetërore apo private, është e mirëpritur dhe merr vlerë kur shkon në funksion të këtij objektivi dhe qytetit tonë”, duke iu përgjigjur edhe premtimit të bërë nga Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, për një shpërblim 15 milion lekë nëse Vllaznia fiton titullin e parë që nga viti 2001.