Gati tri vjet pasi e fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, Kosova ende nuk ka filluar mirë t’i kryej punët rreth infrastrukturës sportive për organizimin e garave, mbase duke e vënë në pikëpyetje mbajtjen e tyre.
Lojërat Mesdhetare janë ngjarje me sporte të llojllojshme që zhvillohen çdo katër vjet dhe cilësohen si më të rëndësishmet pas Lojërave Olimpike.
Megjithatë, jo gjithçka po shkon sipas planit për organizatorët, pasi punët në ndërtimin e objektit kryesor dhe rinovimin e njërit prej më të rëndësishmeve as që kanë nisur bile: stadiumi kombëtar – ku duhet të bëhet ceremonia e hapjes dhe mbylljes së lojërave – dhe fshati mesdhetar, një kompleks i domosdoshëm për akomodimin e rreth 5.000 atletëve nga rreth 26 vende pjesëmarrëse.

