Atletico Madridi ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj arbitrimit pas humbjes 2-1 përballë Barcelonës, në një ndeshje që ka ndezur polemika të forta në Spanjë. Drejtuesit e klubit madrilen janë të revoltuar, veçanërisht për një episod të diskutueshëm që lidhet me përdorimin e VAR-it.
“Los Colchoneros” pretendojnë se një karton i kuq i dhënë në fushë ndaj Gerard Martín u anulua më pas nga VAR-i, një vendim që sipas tyre ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjes. Ky moment konsiderohet vendimtar, pasi do të rikthente barazinë numerike në fushë pas përjashtimit të mëhershëm të Nico González në pjesën e parë.
I ashpër në deklarata ishte drejtori ekzekutiv i klubit, Miguel Ángel Gil Marín, i cili nuk i kurseu fjalët: “Kur shohim pamjet dhe dëgjojmë audion e publikuar nga Federata, nuk mund të bëjmë asgjë tjetër veçse të ndiejmë turp. Është e papranueshme që të dëgjojmë komente që bien ndesh me funksionimin e drejtë të VAR-it dhe që më pas të mos ketë asnjë pasojë”.
Sipas tij, gabimet e arbitrave janë pjesë e lojës, ashtu si edhe ato të lojtarëve apo trajnerëve, por situata ndryshon kur ndërhyrjet nga dhoma e VAR-it ndikojnë drejtpërdrejt vendimmarrjen në fushë. “Arbitri kryesor duhet të marrë përgjegjësinë dhe të interpretojë vetë situatat në lojë. VAR-i duhet të ndërhyjë vetëm për gabime të qarta dhe jo të marrë vendime në vend të tij”, përfundoi Gil.
Reagimi i Atletico Madridit pritet të hapë debat të ri mbi rolin dhe kufijtë e teknologjisë VAR në futbollin modern.

