Prapaskena/ Argjetnina “i trembej” Spanjës

UEFA nuk ka qenë aspak diplomatike me gjuhën e përdorur në njoftimin e dhënë për anullimin e ndeshjes mes Argjentinës dhe Spanjës. Siç dihet kampionia e botës do të sfidonte atë të Europës në 27 mars në stadiumin e Lusail, në Katar, por përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme ka detyruar organizatorët që të kërkojnë një tjetër vend për mbajtjen e “Finalissima”-s.

Në këtë pikë UEFA ka qenë e ashpër me Federatën Argjentinase të Futbollit, e cila duket se ka hedhur poshtë të gjitha propozimet e bëra nga “qeveria” e futbollit të kontinentit tonë.

“Argjentina propozoi që kjo ndeshje të luhej pas Botërorit, por Spanja nuk kishte asnjë datë të lirë në dispozicion. Më pas Argjentina vendosi kusht që kjo ndeshje të luhej vetëm më datë 31 mars, por edhe kjo ditë nuk mundësonte zhvillimin e këtij takimi”, thuhej në njoftimin e UEFA-s.