Carlos Alcaraz ka kaluar në 1/8-at e Indian Wells, duke eliminuar me përmbysje francezin Arthur Rinderknech, pas një beteje që zgjati 3 sete. Numri 1 i botës vujati jo pak për të evituar daljen e parakohshme nga turneu, pas një ndeshjeje që u komplikua ndjeshëm.
Rinderknech bëri ndeshjen e jetës, duke shkuar në limite dhe duke e detyruar Alcaraz të mbrohej fort për më shumë se një orë. Këtë tendencë të kundërshtarëve për t’u kthyer në një “mur” kur kryqëzohen me raketën e tij, e ka trajtuar spanjolli në analizën pas ndeshjes.
Alcaraz ka pranuar hapur frustrimin e të përballurit me lojën më të fortë nga ana e atyre që janë në anën tjetër të rrjetës. “Ndonjëherë më duket sikur jam duke luajtur kundër Roger Federer në çdo tur”, – ka deklaruar me pak ironi dhe realizëm të hidhur spanjolli, duke theksuar faktin se shumë tenistë luajnë kundër tij në një nivel, që nuk arrijnë ta mbajnë gjatë pjesës tjetër të sezonit.

