Në Angli klubet mund të shpenzojnë deri në 85% të të ardhurave të tyre për koston e grupit të lojtarëve. Kështu rrezikohet që askush të mos rivalizojë në merkato me këto klube.
Pasanikët e futbollit europian, – klubet angleze – po bëhen gjithnjë e më të pasur dhe po shpenzojnë gjithmonë e më shumë. UEFA po ndjek me shqetësim të madh rregullat e reja financiare të aprovuara nga Premier League, pasi i fikësohet faktit se mund të prishen ekuilibrat ekonomikë dhe sportivë të futbollit europian.
Duke nisur nga sezoni i ardhshëm, klubet angleze do të veprojnë sipas sistemit të quajtur “Squad Cost Ratio (SCR)”, që i lejon skuadrat e nivelit më të lartë të kalojnë deri në 85% të të ardhurave për koston e grupit të lojtarëve. Këtu përfshihen pagat dhe transferimet e lojtarëve.
Në rrethana të caktuara, falë mekanizmave të tolerancës, kufiri mund të shkojë deri në 115%. Limiti i fiksuar nga UEFA për skuadrat e impenjuara në kompeticionet europiane, sipas BBC-së, është shumë më i ulët, 70% të të ardhurave. Një kufi që ulet më shumë në Serie A.
Në këtë situatë, klubet e Premier League që nuk marrin pjesë në turnetë europianë mund të shpenzojnë shumë më shumë se rivalët e tyre të kontinentit. Kështu fuqizohet edhe më shumë ekonomia e kampionatit anglez. Mjafton të shikojmë dominimin anglez në Champions League, ku janë 6 klube në 1/8-at e finaleve.
Shqetësimi i UEFA-s lidhet me faktin se ky ekuilibër rrezikon t’i vërë nën presion klubet e kampionateve të tjera, që mund të nxiten të shtojnë kostot dhe të marrin më shumë rreziqe financiare për të mbajtur lojtarët e vet.

