Tenisisti më i fortë në botë, Novak Xhokovic, u bë i pari që, vetëm nga shpërblimet financiare që ka marrë në turnetë, ku ai ka luajtur deri tani, e kaloi shifrën 100 milionë dollarë. Xhokovicit nuk i pëlqen shumë të flasë për këtë të dhënë, sepse atij nuk i vjen mirë që të flitet për para, kur ka gjëra më të rëndësishme për të folur. “Nuk ndjehem mirë, kur flitet shumë për paratë e shpërblimeve që fitoj unë ose të tjerët në turnetë e ndryshme. Mediumet më vendosin në një pozitë të pakëndshme, kur detyrohem që të flasë për shpërblimet që fitoi, ndërkohë që edhe pse tenisi, ashtu edhe sportet e tjerë, është profesionist, paratë nuk janë gjëja më e rëndësishme. Suksesi nuk tregohet përmes parave dhe fuqisë; këto gjëra nuk duhet të shërbejnë si matës për të vlerësuar dikë. Jam plotësisht kundër këtij lloj vlerësimi, pasi unë kam edhe vlera të tjera. Paratë vijnë si rezultat i dashurisë dhe i pasionit për sportin.
A mund të mendoni që unë të flasë për para, kur rroga mesatare në Serbi është 200-300 euro? Kjo është gjithçka që dua të them, unë nuk dua të hiqem sikur jam modest, thjesht, është për të ardhur keq që sporti në botë është bërë kaq i tensionuar, është bërë mjet për rivalitete të pakëndshme dhe agresive. Sporti e ka humbur sharmin e tij të fillimit, kurse tani është bërë biznes dhe makineri parash, gjë që është për të ardhur keq, por, sidoqoftë, ka edhe shembuj pozitivë, nga të cilët duhet të marrin shembull brezat e rinj”, deklaroi Nolja, sikurse e thërrasin, zakonisht, shkurt tenisistin serb, Novak Xhokovic.
Një shans të njëjtë, si edhe Xhokovici, kishte edhe Roxher Federeri që, deri tani, ka fituar 98 011 727 dollarë, por ky tenisist zviceran hoqi dorë nga pjesëmarrja në këtë turne. I pari sportist në botë që ka kaluar shifrën 100 milionë dollarë, të fituar vetëm nga turnetë, ku kishte marrë pjesë, është golfisti amerikan Tajger Vuds.