Mehmeti, talenti që e bën Kombëtaren të paparashikueshme

Anis Mehmeti po mahnit me paraqitjet e tij në Championship, një kampionat prestigjioz nga i cili përfitojnë lojtarë edhe kombëtare më prestigjioze se Shqipëria, por fatkeqësisht për mesfushorin nuk është kujtuar ende askush. Si një analogji me rastin e Muçit, askush nuk di të japë një përgjigje të saktë se çfarë e pengon lojtarin që të bashkohet me kuqezinjtë, edhe pse gjatë viteve të fundit në grup janë thirrur emra me më pak peshë e cilësi se ai në skuadrën e drejtuar nga Sylvinho.

Sigurisht që konkurrenca është e madhe, por i harruari Mehmeti, në asnjë analizë profesionale sportive, nuk mund të qëndrojë pas askujt momentalisht në llogaritë që po bëhen për ekipin anti-Poloni.

Mesfushori shqiptar u transferua nga Bristol City te Ipswich dhe po përshtatet menjëherë në ekipin e ri të Championship. Pas performancave gjithnjë e në rritje, vlera e tij ka kaluar nga 10 milionë euro në 14 milionë euro. Madje, Mehmeti vlen më shumë se Asllani (13 milionë euro), i cili shihej si lojtari më i mirë i kombëtares, por mesa duket këto shifra janë “fshirë” pa dashje nga kompjuterët e analistëve të stafit kuqezi.

Mehmeti, në 6 ndeshjet e para me Ipswich, numëron 2 gola dhe 1 asist, dhe për më tepër, bashkë me Muçin, për momentin është lojtari më i paparashikueshëm në dinamikat e formacionit të mundshëm që mund të stilojë trajneri brazilian.

Shqipëria në Poloni sigurisht që ka nevojë për disiplinë, por ajo që i ka munguar këtij grupi është talenti, sepse të tillë kemi me pakicë në grupin që në Varshavë duhet të bëjë ndoshta diçka më shumë sesa thjesht menaxhimin e 90 minutave.

Nëse vazhdon me këto paraqitje, nuk do të jetë e largët dita kur lojtarin kuqezi mund ta shikojmë në ndonjë ekip të madh.

Nga Pirro Bardhyli