Emre Can do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit pasi pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar në gjurin e majtë gjatë humbjes së Borussia Dortmundit në “Der Klassiker” ndaj Bayern Munich. Kapiteni i Dortmundit, i cili po rikthehej si titullar pas një mungese prej tri ndeshjesh për shkak të një problemi në kofshë, u dëmtua në minutën e 41-të pas një përplasjeje me Konrad Laimer. Fillimisht ai tentoi të vazhdonte lojën, por gjendja e tij u përkeqësua dhe në minutën e 47-të u zëvendësua nga Ramy Bensebaini. Trajneri Niko Kovač deklaroi pas ndeshjes se Can “shtrëngoi dhëmbët” për të qëndruar në fushë, por dhimbja ishte e padurueshme. Më vonë, në konferencë për shtyp, ai pranoi se ndjesia e lojtarit nuk ishte pozitive.
Konfirmimi zyrtar i klubit për seriozitetin e dëmtimit ishte një goditje e rëndë për verdhezinjtë. Drejtori sportiv Sebastian Kehl e cilësoi situatën si “jashtëzakonisht të hidhur”, duke theksuar rëndësinë e kapitenit për skuadrën dhe duke premtuar mbështetje të plotë gjatë rikuperimit. Ky është dëmtimi i tretë i rëndë për Can këtë sezon, pasi ai ka munguar tashmë në 12 ndeshje të Bundesligës. Situata bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti se kontrata e tij skadon në fund të sezonit, duke lënë të hapur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij në Dortmund. Humbja e kapitenit vjen në një moment delikat për Dortmundin, që pas disfatës 3-2 ndaj Bayern-it mbetet 11 pikë larg kreut në garën për titullin kampion.
sfidanti.al

