Bayern ka identifikuar Bart Verbruggen si një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Manuel Neuer verën e ardhshme. Sipas “talkSPORT”, portieri i Brighton-it dhe i kombëtares holandeze është një nga profilet më të ndjekura nga klubi bavarez për sezonin e ardhshëm. Kontrata e Neuer-it skadon në qershor dhe e ardhmja e tij në ‘Allianz Arena’ mbetet e pasigurt, ndaj drejtuesit po shikojnë opsionet e mundshme. Verbruggen do të mbushë 24 vjeç në gusht dhe konsiderohet si një talent i madh për të ardhmen.
Nga ana tjetër, Brighton-i nuk duket i shqetësuar. Klubi anglez di se mund të arkëtojë një fitim të konsiderueshëm, pasi e bleu Verbruggen nga Anderlecht në 2023 për 16 milionë paundë. Brighton-i ka edhe një zëvendësues të mundshëm: Carl Rushworth. Ish-portieri i U-21 të Anglisë po shkëlqen në Championship me Coventry City-n, duke i luajtur të gjitha (31) ndeshjet dhe duke mbajtur portën të paprekur 10 herë. Këtë sezon në Premier League, Verbruggen ka luajtur të gjitha (25) ndeshjet e Brighton-it, me vetëm 5 “porta të pastra”, e fundit më 3 janar kundër Burnley-t. Bayern duket i vendosur të sigurojë një portier të ri për të ardhmen.
sfidanti.al

