Rasti i Darwin Nunez është fotografia perfekte e kontradiktave të futbollit modern – veçanërisht atij arab. Pas një vere me shpenzime marramendëse, Al Hilal investoi 53 milionë euro për kartonin e sulmuesit uruguaian, duke i garantuar atij 20 milionë euro në sezon për katër vite. Një operacion që, në total, kap shifrën e rreth 140 milionë eurove. Megjithatë, pas vetëm gjashtë muajsh, historia ka marrë një kthesë të papritur.
Shifra që nuk mjaftuan
Në 23 paraqitje, Núñez realizoi 7 gola dhe dhuroi 5 asistime. Një bilanc jo i keq, por që duket se nuk ka bindur plotësisht drejtuesit e klubit saudit. Dhe më pas erdhi lëvizja që ndryshoi gjithçka.
Efekti Benzema
Në janar, Al-Hilal përfitoi nga rasti për të transferuar Karim Benzema i cili në debutim firmosi një tregolësh spektakolar. Një sinjal i qartë se hierarkitë në repartin ofensiv do të përmbyseshin. Ardhja e francezit ka ngushtuar hapësirat për Núñez, në një kampionat ku rregullat janë po aq të ashpra sa investimet janë të mëdha.
Kufiri i të huajve dhe vendimi drastik
Saudi Pro League vendos një limit për lojtarët e huaj në listën e kampionatit. Dhe për shkak të këtij kufizimi, Al-Hilal ka vendosur ta përjashtojë uruguaianin fillimisht nga grupi, e më pas nga lista e kampionatit deri në fund të sezonit. Një vendim që peshon rëndë, sidomos në vitin e Kupës së Botës, ku Núñez pritet të jetë pika referente e sulmit të Uruguajit. Teorikisht, ai mund të aktivizohet në kompeticionet kontinentale, por perspektiva mbetet e paqartë.
sfidanti.al

