Pronari grek i Nottingham Forest mban linjën e ashpër

Nottingham Forest ka shkarkuar trajnerin Sean Dyche, duke vazhduar sezonin e trazuar të klubit anglez. Vendimi u njoftua në orët e vona të natës nga klubi, vetëm pak ditë pas zhvillimeve të tjera të rëndësishme në Premier League. Pronari grek, Evangelos Marinakis, konfirmoi edhe një herë linjën e ashpër që ka ndjekur gjatë këtij sezoni.

Në komunikatën zyrtare, Nottingham Forest njoftoi përfundimin e bashkëpunimit me Dyche pas vetëm 114 ditësh në krye të skuadrës. “Klubi konfirmon se Sean Dyche është liruar nga detyra e trajnerit. E falënderojmë atë dhe stafin për punën e bërë dhe u urojmë suksese në të ardhmen”, – thuhet në deklaratë. Sipas mediave britanike, kandidati kryesor për ta zëvendësuar është Vítor Pereira, ish-trajner i Wolverhampton-it.

Dyche bëhet kështu trajneri i tretë i shkarkuar nga Forest këtë sezon, pas Nuno Espírito Santo dhe Ange Postecoglou. Vendimtar për drejtuesit ishte barazimi pa gola ndaj Wolverhampton-it, skuadra e fundit në renditje. Forest krijoi shumë raste, me 35 goditje drejt portës, por nuk arriti të shënonte. Pas këtij rezultati, skuadra renditet në vendin e 17-të, vetëm tri pikë mbi zonën e rënies, ku ndodhet West Hami. As paraqitja në Evropë nuk mjaftoi për të shpëtuar Dyche. Forest e mbylli fazën e kampionatit të Europa League-s në vendin e 13-të dhe do të përballet me Fenerbahçen në ndeshjen shtesë për një vend në 1/8-at e finales. Megjithatë, situata në kampionat mbetet shqetësuese, duke theksuar paqëndrueshmërinë e një klubi që vetëm pak muaj më parë synonte zonën e Champions League.

Sfidanti.al