Antonio Conte rrezikon një sanksion disiplinor pas episodit të ndodhur në ndeshjen e Kupës së Italisë mes Napolit dhe Comos. Trajneri i Napolit është vënë në qendër të vëmendjes për ofendimet ndaj arbitrit Gianluca Manganiello, pas një vendimi të diskutueshëm gjatë sfidës.
Conte reagoi ashpër për mosdhënien e kartonit të kuq ndaj Jacobo Ramon. Sipas pamjeve televizive të publikuara pas ndeshjes, tekniku napolitan iu drejtua arbitrit me fjalë fyese, duke i kërkuar të rishikonte aksionin. Ky reagim ka bërë që Prokuroria Federale italiane, e drejtuar nga Giuseppe Chinè, të marrë në shqyrtim videon dhe regjistrimet audio për të vlerësuar hapjen e një hetimi. Në raportin zyrtar të arbitrit nuk raportohet për ofendime, pasi Manganiello ndodhej larg momentit të incidentit, ndërsa arbitri i katërt ishte i angazhuar në komunikim me kufje. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse vëzhguesit e federatës kanë përfshirë ndonjë shënim në raportin e tyre.
Në rast se hapet një çështje dhe Conte shpallet fajtor, ai rrezikon deri në një ndeshje pezullim në Kupën e Italisë. Ekziston edhe mundësia që dënimi të kthehet në gjobë, nëse trajneri zgjedh një marrëveshje me organet disiplinore.
sfidanti.al

