Arbeloa: Mbappé po ndjek gjurmët e CR7

Álvaro Arbeloa u shfaq i kënaqur pas suksesit të Real Madridit në transfertën e vështirë të “Mestalla”-s, duke pranuar se loja nuk ishte spektakolare, por rezultati dhe qasja e skuadrës ishin ato të duhura. Sipas tij, fitorja erdhi falë soliditetit dhe mentalitetit fitues.

“Është një fushë shumë e komplikuar. Vetëm tri fitore në 11 vitet e fundit këtu tregojnë sa e vështirë është. Kam ardhur në këtë stadium si lojtar dhe e di mirë çfarë do të thotë. Kemi fituar me meritë, falë përkushtimit dhe disiplinës”, u shpreh Arbeloa. Ai ndaloi edhe te zgjedhjet taktike dhe lëvizjet në krahun e djathtë. Për Federico Valverden theksoi se jep maksimumin në çdo rol, por ndihet më rehat në mesfushë. Fjalë pozitive pati edhe për David-in, të cilin e cilësoi si një sinjal shumë të mirë për akademinë, ndërsa për Trent-in nënvizoi se pas një periudhe të gjatë jashtë do të menaxhohet me kujdes. Sa i përket Carvajal-it, Arbeloa u tregua i matur: “Po përmirësohet dita-ditës në stërvitje, por nuk do të rrezikojmë. Ai është lider në dhomat e zhveshjes”.

Duke folur për ambientin në “Mestalla”, Arbeloa e krahasoi përballjen me një vizitë te dentisti, për nga vështirësia dhe presioni. “Courtois nuk u detyrua të bëjë pritje, sepse skuadra punoi shumë mirë në mbrojtje”, shtoi ai. Në fund, lavdërime të veçanta për Kylian Mbappé-në: “Menduam se nuk do të shihnim më askënd si Cristiano Ronaldo, por Mbappé është qartësisht në atë rrugë”.

sfidanti.al