Dukati prezantoi ekipin e tij zyrtar në Madona di Kampilio në Itali, me dyshen Mark Markez dhe Peko Banjaja.
Është një vit i veçantë për markën nga Borgo Panigale, e cila feston 100-vjetorin e saj.
“Ky është fillimi i një udhëtimi të ri. Për ne është pothuajse traditë të nisim sezonin në Madona di Kampilio. Do të shpjegojmë pse besojmë se do të jetë një tjetër vit i rëndësishëm për Dukatin.
Sot, në vitin 2026, Dukati është një kompani unike në botë, me teknologji, dizajn dhe trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e dy rrotave. Ky është viti i njëqindtë i historisë sonë. 100 vjet janë shumë, por i kemi mbushur me modele të mëdha, edhe në Moto GP.
Për këtë arsye kemi zgjedhur një ngjyrë të re: të kuqen e 100 vjetorit, si në vitet ’60”, u shpreh Domenikali, i cili vlerësoi gjithashtu hyrjen e Audit në Formula 1:
“Jemi i vetmi grup që garon në dy kompeticionet më të mëdha. Kjo na lejon të transferojmë teknologjinë në modelet e rrugës. Aty nuk mund të premtojmë podiume, por do të jetë një udhëtim drejt suksesit”.
Peko Banjaja dhe Mark Markez prezantuan motorët, natyrisht të kuq, por me detaje të bardha që i japin një prekje retro.
“Është motori më i mirë që kam drejtuar që kur erdha në vitin 2021. Kombinimi i të kuqes me të bardhën është i shkëlqyer”, tha Banjaja.
Ndërkohë, Markez u shpreh: “Ndjehem më mirë, kam punuar shumë gjatë dimrit për të qenë gati për Tajlandën. Tashmë po pilotoj motorë të ndryshëm dhe gjithçka po shkon mirë. Një motor i shpejtë është gjithmonë një motor i bukur. Do ta shohim në para-sezon. Është një mënyrë e bukur për të festuar 100 vjetorin”.

