Timo Werner është shumë pranë një kthese të madhe në karrierë. Sulmuesi gjerman, në moshën 29-vjeçare, pritet të largohet nga RB Leipzig, nga Gjermania dhe në përgjithësi nga futbolli europian, për të nisur një aventurë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas raportimeve të “The Athletic”, Werner ka arritur një marrëveshje me San Jose Earthquakes, skuadër që militon në Major League Soccer.
Marrëveshja nuk është ende e mbyllur 100 për qind, por palët janë shumë pranë finalizimit dhe gjithçka mund të konkretizohet në ditët në vijim. Një transferim që do të shënonte fundin e një etape të rëndësishme për sulmuesin gjerman, i cili nuk ka gjetur hapësira këtë sezon te Leipzigu. Werner ka regjistruar vetëm tri paraqitje në pjesën e parë të sezonit, duke grumbulluar gjithsej vetëm 13 minuta lojë, një shifër që tregon qartë vështirësitë e tij aktuale. Në kulmin e formës, nga viti 2016 deri më 2020, ai ishte një nga sulmuesit më të frikshëm në Bundesligë, duke realizuar 95 gola në 159 ndeshje mes kampionatit dhe kupave me Leipzigun.
Në karrierën e tij, Werner ka pasur edhe dy sezone te Chelsea në Premier League, ku shënoi 23 gola në 89 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Ai ka veshur gjithashtu fanellën e Gjermanisë në 57 ndeshje dhe ka shënuar 24 gola, duke qenë pjesë e skuadrës në Kupën e Botës 2018 dhe Euro 2020. Pas një huazimi të shkurtër te Tottenhami sezonin e kaluar dhe një rikthimi jo të suksesshëm në Leipzig gjatë verës, MLS duket tashmë destinacioni i radhës për Werner, i cili synon të ringjallë karrierën larg presionit të futbollit europian.
sfidanti.al

