Mamadou Sakho njofton tërheqjen nga futbolli

Mamadou Sakho ka zyrtarizuar fundin e karrierës së tij futbollistike, duke zgjedhur një skenë simbolike dhe plot emocione: “Parc des Princes”. Ish-mbrojtësi francez, i cili kishte mbetur pa klub që nga përfundimi i aventurës së tij me Torpedo Kutaisin në Gjeorgji gjatë verës së kaluar, vendosi ta bëjë publik vendimin e tij në një mbrëmje të veçantë për futbollin parizien.

Sakho shfrytëzoi vëmendjen mediatike të sfidës së Kupës së Francës mes dy ish-skuadrave të tij, Paris Saint-Germain dhe Paris FC (klub ku ai ka luajtur në nivelin e akademisë), për të njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli. Në prononcimin për “beIN Sports”, përpara fillimit të takimit që më pas u fitua në mënyrë surprizuese nga Paris FC, ai shpjegoi arsyen e zgjedhjes së këtij momenti.

“Parisi për mua përfaqëson shumë. Më qëndronte në zemër që ta shpallja sot, në këtë ndeshje, fundin e karrierës sime. Është diçka thjesht e jashtëzakonshme”, u shpreh Sakho. Para vërshëllimës së parë, ish-mbrojtësi pati mundësinë të fliste në fushë me mikrofon, i shoqëruar nga familja e tij, mes duartrokitjeve të gjata dhe ovacioneve të publikut të “Parc des Princes”.

Gjatë karrierës së tij, Sakho regjistroi 196 paraqitje në Ligue 1 me fanellat e PSG-së dhe Montpellier, si dhe 128 ndeshje në Premier League me Liverpool-in dhe Crystal Palace. Me PSG-në ai fitoi një kampionat francez, Kupën e Francës, Superkupën e Francës dhe Kupën e Ligës.

Në nivel ndërkombëtar, Sakho zhvilloi 29 ndeshje me Kombëtaren e Francës dhe ishte pjesë e Botërorit 2014 në Brazil, ku u aktivizua në katër takime. Një karrierë e pasur, që tani mbyllet aty ku gjithçka kishte një domethënie të veçantë: në Paris.

sfidanti.al