Rafael Leao po kalon një moment të mirë nga ana realizuese, por jo plotësisht nga ajo fizike. Në mesin e janarit, portugezi ka arritur në kuotën e shtatë golave në Serinë A, një ritëm që i afrohet rekordit të tij personal të sezonit 2022–23, kur e mbylli kampionatin me pesëmbëdhjetë gola. Megjithatë, ndryshe nga atëherë, këtë sezon Leao është përdorur me më shumë kujdes nga Massimiliano Allegri.
Arsyeja lidhet me një shqetësim në aduktorin e djathtë, i cili nuk i lejon Rafa-s të jetë në gjendjen optimale atletike. Dhe kjo është thelbësore për një lojtar që bazon lojën e tij te shpërthimi, shpejtësia dhe rezistenca. Allegri e ka pranuar hapur këtë situatë prej javësh, duke theksuar se Leao “nuk është ende në formën më të mirë”. Për këtë arsye, kundër Fiorentinës, portugezi e nisi ndeshjen nga stoli, duke u aktivizuar vetëm në çerekun e fundit të lojës. Ishte ndeshja e tretë brenda javës, një ngarkesë që stafi mjekësor e konsideroi të rrezikshme për muskujt e tij të ndjeshëm. Kujtesa kthehet edhe te dëmtimi i dhjetorit ndaj Torinos, që e detyroi Leao-n të ndalonte për disa ndeshje. Objektivi i Milanit dhe i stafit është i qartë: të shmanget çdo rrezik i pubalgjisë, një problem delikat që mund të komplikojë sezonin. Leao po kontribuon edhe pa forcuar sprintet, duke u fokusuar më shumë te loja në zonë dhe finalizimi. Por galopet e famshme në krah, ato që ndeznin “San Siron”, mungojnë prej kohësh.
Në prag të ndeshjes me Comon, situata e tij mbetet për t’u vlerësuar. Allegri ka alternativa si Nkunku dhe Füllkrug dhe mund ta menaxhojë Rafa-n pa presion. Prioriteti absolut është rikthimi i Leao-s në formën optimale, edhe më shumë se një gol i radhës.
sfidanti.al

