2025 vlerësohet vit i suksesshëm për futbollin kosovar

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e fundit për këtë vit nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Rendi i ditës i kësaj mbledhje ishte aprovimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar, përmbyllja e vitit 2025, përgatitjet për procesin zgjedhor, si dhe pika të ndryshme.

Në fillim, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi unanimisht procesverbalin e mbledhjes së kaluar.Duke folur për vitin 2025, presidenti Agim Ademi, theksoi se ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në të gjitha segmentet, me arritje historike për futbollin e Kosovës. Ai vlerësoi se viti është përmbyllur shumë mirë, si në aspektin organizativ të Federatës, ashtu edhe me rezultatet e arritura nga Kombëtarja A dhe klubet kosovare në arenën evropiane.
Presidenti Ademi potencoi rëndësinë e dy ndeshjeve të ardhshme të ‘play-off’-it të Kombëtares, duke theksuar se përqendrimi i plotë duhet të jetë në ndeshjen e parë ndaj Sllovakisë, me shpresën që Kombëtarja do të jetë në formën optimale në muajin mars dhe do t’i kalojë me sukses edhe këta dy hapa për të realizuar ëndrrën e shumë gjeneratave për paraqitjen e parë historike në Kupën e Botës.