Mbappé në stadium me fanellën e Hakimi-t

Edhe pse tani luajnë në klube të ndryshme dhe janë rivalë në garën për Champions League, miqësia mes Kylian Mbappé-së dhe Achraf Hakimit mbetet e fortë. Para se të transferohej te Real Madridi, sulmuesi francez kishte një lidhje të veçantë, brenda dhe jashtë fushës, me ish-shokun e tij maroken te PSG-ja.

Rrugët e tyre u ndanë, por miqësia nuk u fik. Kështu, sonte, në ndeshjen Marok-Mali, Mbappé u kap nga kamerat duke qëndruar në ‘Stade Prince Moulay Abdallah’ në Rabat për të mbështetur Hakimin nga afër. Edhe pse Hakimi e nisi në stol për shkak të menaxhimit të minutazhit nga trajneri Regragui pas dëmtimit të kyçit të këmbës me klubin, prania e Mbappé-së ofroi një mbështetje të veçantë.

Sulmuesi i Real Madridit ishte i buzëqeshur dhe mbante nën xhaketë fanellën e numrit 2 të Luanëve të Atlantikut, të Hakimit. Ky gjest tërhoqi duartrokitje të mëdha nga tifozët e pranishëm në stadium. Mbështetja e tij tregoi se, pavarësisht rivalitetit profesional, lidhja personale dhe respekti mes dy futbollistëve mbetet i fortë dhe e prek publikun.